Tjetër atentat në Vlorë/ 'Golf'-i bëhet shoshë nga plumbat, zbulohet kush ishte shënjestra

Tjetër atentat në Vlorë/ 'Golf'-i bëhet shoshë nga plumbat, zbulohet kush ishte shënjestra

Rikthehet terrori në Vlorë. Dy ditë pas atentatit në lungomare ndaj Inez Hajrullës pasditen e sotme është regjistruar një tjetër ngjarje. Në autostradën Vlorë-Fier në Novoselë te ura e Mifolit është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një makine tip ‘Golf’, ndërsa raportohet për të paktën një person të plagosur.

Objektiv i atentatit ka qenë Romarjo Aliraj. Ai ka qenë duke udhëtuar nga Vlora në drejtim të Fierit në momentin që një makinë që po lëvizte paralel e ka qëlluar me breshëri. Makina është bërë shoshë nga plumbat, ndërsa fatmirësisht Aliraj ka shpëtuar me plagë të lehta. Pas breshërisë së plumbave kundër makinës, drejtuesi Aliraj ka humbur kontrollin duke përfunduar në kanal.

Report Tv sjell pamjet e makinës me targa AA 864 SV, e cila i ka të dyja dyert e hapura duke krijuar dyshimet se në automjet mund të kenë qenë edhe një tjetër person, që mund të jetë larguar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe ambulanca, ndërsa i plagosuri u transportua në spital.